Haradinaj: Nuk kemi nevojë për një minishengen me kryeqytet Serbinë
Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova nuk ka nevojë për një minishengen që kryeqytet e ka Serbinë, derisa ka theksuar se krejt ideja e minishengenit është heqja e taksës që Kosova i ka vendosur produkteve që importohen nga Serbia.
Sot kur në Tiranë po mbahet takimi i tretë i vendeve të Ballkanit Perëndimor, Haradinaj tha se përderisa Kosova nuk njihet nga Serbia dhe mohohet masakra e Reçakut, iu mbetet për t’u thonë puna e mbarë pa ne.
“Të gjitha vendet e Ballkanjt Perëndimor, pra 6 që kanë mbetur pa u anëtarësuar në BE, ne kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Pra, secili vend ka kontratë me BE-në, Kosova e ka MSA-në dhe ne duhet të fokusohemi në MSA-në. Pra, nuk kemi nevojë për një minishengen me kryeqytet Serbinë ose lider Serbinë të minishengenit tonë. Jemi të interesuar për shengen në këtë rast, për BE-në. Kosova është vend euroatlantik, pra kjo është perspektiva e jonë. Hetohet që krejt kjo bëhet në njëfarë mënyre me na e heq taksën, është një byepas për me e heq taksën. Krejt minishengeni vetëm një qëllim e ka, një sukses nëse kish mujt me e heq taksën. Pra, edhe nervozat që i kanë këto ditët e fundit pikërisht për atë vijnë, se po iu bien në ujë këto zhvillime”, ka thënë Haradinaj.