Haradinaj: Nuk njolloset lufta e UÇK-së
Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë të kota përpjekjet për ta njollosur luftën e UÇK-së.
“Pastërtia e luftëtarëve të UÇK-së është dëshmuar edhe në të kaluarën, do të dëshmohet edhe në të ardhmen. Andaj, kushdo që provon luftës sonë të drejtë, të nevojshme dhe të pastër të UÇK-së me i dhënë kahe tjera cilado qofshin ato, do të dështojnë sepse del kundër të vërtetës për të cilën e di e gjithë bota”, ka thënë Haradinaj pas nderimit që u ka bërë dëshmorëve në Gllogjan me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Kombit.
Haradinaj ka thënë se me luftën e UÇK-së do të krenohen jo vetëm shqiptarët, por edhe popujt e tjerë liridashës dhe aleatët që janë bërë pjesë e çlirimit të Kosovës.
“Luftërat në botë ndodhin për shumë arsye, por e jona ishte për një arsye të vetme, ishim të shtypur, të kërcënuar me jetë, kishte përpjekje për shfarosje, prandaj ishim të detyruar me u mbrojtur, me u çliruar. Pra, kjo është e vërteta e luftës sonë, luftës së një ushtrie me të cilën shqiptarët do të krenohen për jetë, edhe popujt liridashës, por edhe aleatët tanë që na u bashkuan në rrugën tonë për liri. Ishte luftë e drejtë sepse ndodhi në vendin, në territorin ku jetonte një popull i një etnie, në këtë rast shqiptarë, në shtëpinë e vet, në tokën e vet, prandaj ishim të detyruar të luftojmë kundër atij që ishte ardhur nga një vend tjetër, në këtë rast nga Serbia e Millosheviqit”, është shprehur ai.