Haradinaj: Objektivi kryesor i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim një grup pedagogësh e studentësh të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL), me të cilët ka diskutuar për rrethanat aktuale politike në Kosovë dhe rajon.
Haradinaj ka thënë se objektivi i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian (BE).
“Kënaqësi e veçantë të bashkëbisedoj hapur me një grup pedagogësh dhe studentësh të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL), për rrethanat aktuale politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për rrugëtimin e përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE. Kosova, objektiv kryesor e ka fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, anëtarësimin në BE e NATO, dhe me një popullsi të re dhe mirë të arsimuar, ka një ofertë atraktive për Evropën, si vend me resurse të mëdha humane dhe ekonomike”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/