Haradinaj, Osmanit, Kurtit e Gërvallës: Kur e përmendni ju Rugovën, atij i rrotullohen eshtrat në varr
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se po bëjnë luftë të pakompromis për të fituar elektoratin rugovist në Podujevë.
Ky reagim i tij vjen Haradinaj në ditën e zbulimit të shtatores së Rugovës në Podujevë.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se Osmani, Gërvalla e Kurti sa herë që e përmendin Rugovën, ish-presidentit i rrotullohen eshtrat në varr.
Postimi i plotë i Haradinajt
Luftë e pakompromis e Vjosës, Albinit dhe Donikës për elektoratin rugovist në Podujevë. Secili, në formën e vet të mashtrimit, pretendon se çmon vlerat e Presidentit Rugova. Përderisa Albini dhe Donika, për të gjallë të tij, nuk e kanë fshehur urrejtjen dhe mosrespektin ndaj tij, Vjosa, si më e reja, përveç retorikës së pasur pro-rugoviane, asgjë rugoviste nuk ka. Lirisht, njeriu mund të konkludojë se qasja e të treve ndaj politikëbërjes dhe vlerave për të cilat ka qëndruar Prof. Dr. Ibrahim Rugova, ka qenë aq e ultë sa që sa herë e përmendin Rugovën, atij i rrotullohen eshtrat në varr.
Llapi e ka merituar një përmendore të Dr. Rugovës sepse besnikëria dhe besimi i llapjanëve ndaj Rugovës ka qenë unik. Nuk është keq të përmendim fjalorin e Rugovës që sot, po të ishte gjallë, do të thoshte: “Falënderoj Presidentin Biden, Kryeministrin Staimer, Kryeministrin Scholz, Presidentin Macron, Papën dhe miqtë e Kosovës. Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e Kosovës.”
Albini dhe Donika këtë nuk e thonë as nuk e mendojnë kurrë, përderisa Vjosa, edhe kur e thotë, çdo ditë e më pak njerëz e besojnë dhe kanë të drejtë që nuk e besojnë.