Haradinaj, Osmanit: Pse po hesht për projektin amerikan të gazsjellësit?

01 tetor 2021 | 15:10

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas marrëveshjes për targat e automjeteve dhe refuzimin e projektit për kyçjen e Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut të përkrahur nga MCC-ja amerikane.

Haradinaj në një konferencë për media, ka thënë Kurti i ka plotësuar të gjitha kushtet për të dhënë dorëheqje.

“Albin Kurti me dy veprimet e fundit e ka rrezikuar shtetin e Kosovës dhe partneritetin me ShBA-në. Ky njeri i ka plotësuar të gjitha kushtet të jap dorëheqje, mbetja e tij në këtë detyrë qoftë edhe për një ditë të vetme është e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën.  Unë me kohë e kam vërejtur se është mashtrues e i rrezikshëm për vendin”, ka thënë Haradinaj.

Në këtë kontekst, Haradinaj ka pyetur presidenten Vjosa Osmani se pse po hesht për vendimin e refuzimit të projektit të gazit.

“Kam një pyetje për presidenten e vendit, pse po hesht për refuzimin shtetëror të projektit amerikan të gazsjellësit! Kjo heshtje e bën këtë goditje më të dhimbshme dhe më të frikshme. Ajo pati thënë që Kosova nuk ka refuzim, s’ka rrugë tjetër pos bashkëpunimit me SHBA-në”, Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëna e peshëngritësit Pirro Dhima u gjet sot e pajetë…