Haradinaj: Pa Deçanin nuk mund t’i fitojmë zgjedhjet 

27 shtator 2019 | 19:09

Kandidati për kryeministër i koalicionit parazgjedhor AAK-PSD, Ramush Haradinaj, të premten ka vazhduar fushatën në Deçan. Para simpatizantëve të mbledhur në sheshin e qytetit ai ka thënë se në këtë garë ka hyrë për të fituar por, sipas tij, pa Deçanin nuk ka fitore më 6 tetor. “Unë kam hyrë për të fituar, por unë nuk mund të fitoj pa Deçanin. Deçani më 6 tetor nuk është mirë të rrijë në shtëpi sepse më 6 tetor na duhet vota juaj. Kush s’ma qetë votën nuk është me mua dhe Kosovën. Ai që e ka ndarë mendjen të më votojë, nuk duhet të rrijë në shtëpi. Marre ju qoftë nëse rrini sepse vota nuk lihet në shtëpi”, ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se më 6 tetor krejt Deçani dhe Dukagjini duhet të dalin të votojnë. “Numri i koalicionit AAK – PSD është 119. Ky numër e ka bërë ushtrinë, e ka mbrojtur ‘Trepçën’, e ka mbrojtur territorin e vendit si dhe e ka bërë kryeqytetin me ligj. Shyqyr që erdhi dita me dalë në dritë edhe Deçani, edhe Prishtina. Asnjë projekt Deçanit nuk i është kthyer mbrapa dhe projektet që do t’i sjellë do t’i çojmë përpara”, ka thënë ai.

Haradinaj ka folur edhe për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, duke thënë se autostrada nuk do të bëhet për vota, por për zhvillim ekonomik. “Dikush po thotë se nuk na duhet autostrada e Dukagjinit, por si mund ta zhvillojmë vendin pa infrastrukturë? Autostrada e Dukagjinit nuk bëhet për vota, sepse votat e Deçanit e të Dukagjinit i kam marrë para autostradës”, ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se në qeverisjen e tij të ardhshme paga minimale nuk do të jetë nën 250 euro sepse, sipas tij, koha është për zhvillim ekonomik, për shtesa të fëmijëve dhe për shëndetësi më të mirë.

Para bashkëvendësve Haradinaj ka folur edhe për luftën për liri dhe për veteranët e UÇK-së. Ai ka kritikuar ata që po i quajnë luftëtarët e UÇK-së veteranë të “rrejshëm”. “Ma kanë lodhur shpirtin për fryrje të numrave. Nuk kam fryrë numra, por i kemi dalë zot vendit tonë. Nëse është e nevojshme, sërish i mbathim çizmet. Nëse nuk e kemi rrejt vendin tonë, nuk do ta rrejmë kurrë as Amerikën”, ka deklaruar Haradinaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Jashtëm i Federatës serbo-malazeze, Vuk Drashkoviq, e ka…