Haradinaj: Pa një rezolutë për gjenocidin në Kosovë, e vërteta dhe drejtësia mbeten të përgjysmuara
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën, është një hap i madh i pranimit të së vërtetës për mizoritë serbe në Bosnje.
Ai ka theksuar se pa një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, për krimet e gjenocidin në Kosovë, e vërteta dhe drejtësia për mijëra viktima, mbeten përgjysmë.
“Pa një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, për krimet e gjenocidin në Kosovë, e vërteta dhe drejtësia për mijëra viktima, mbeten përgjysmë. Autorët e krimit e gjenocidit, të kudondodhur, duhet ta marrin dënimin. Varrezat masive, masakrat, ekzekutimet e mijëra qytetarëve, dhunimet dhe përndjekja e një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, s’mund të kenë emër tjetër përpos gjenocid. Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën, është një hap i madh i pranimit të së vërtetës për mizoritë serbe në Bosnje, që duhet përshëndetur. E vërteta dhe drejtësia do të jenë më të plota, atëherë kur të pranohet se edhe në Kosovë pati gjenocid”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.