Haradinaj: Pa shkollë të fortë, nuk ka popull të fortë
Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, kryeministri Ramush Haradinaj u ka premtuar mësimdhënësve se nuk do të jenë vetëm, nuk do të jenë të ndarë dhe se misioni i tyre është aftësimi dhe forcimi i nxënies së dijes.
Në ngjarjen e organizuar për nder të kësaj dite nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), kreu i ekzekutivit ka thënë se është guxim që në një ditë si kjo, Ditën e Mësuesit, t’iu dilet përballë mësuesve.
“Ndihem sot edhe nxënës edhe prind, por edhe koleg me ju. Bashkëndjej me ju, me rrugën tuaj jetësore”, është shprehur kryeministri Haradinaj.
“Ju falënderoj për këtë kontribut të çmuar që sot të jemi këta që jemi. Pa punën, mundin dhe sakrificën tuaj, pa ndjenjën dhe vullnetin që ju ka mbajtur nuk do të ishim këta që jemi”, ka theksuar kryeministri, duke shtuar se nuk do të ndalet deri në zbatimin e plotë të së drejtës që u takon të gjithë mësimdhënësve.
Ai ka thënë se i kupton përgjegjësitë që ka qeveria ndaj mësimdhënësve, duke përmendur edhe kushtet dhe infrastrukturën jo të mirë në shkolla, për të cilën tha se qeveria e Kosovës është duke punuar për përmirësimin e saj.
“Pa shkollë të fortë nuk ka popull të fortë, nuk ka shtet të fortë, ekonomi e as ushtri të fortë, sepse vetëm duke pasur shkollën e fortë do të jemi të zotët e vetës”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.
Ai ka shtuar se nuk është mirë kur fëmijët e Kosovës vlerësohen dobët në testin PISA apo nga programe tjera.