Haradinaj: Pajtimi me Serbinë, vetëm në këmbim të njohjes
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova do të pranojë pajtimin me Serbinë në këmbim të njohjes.
Sipas tij, kjo nuk do të thotë se do të harrohen krimet e bëra.
Haradinaj ka thënë se pajtimi nënkupton të kalohet mbi të zhdukurit, të dhunuarit e të vrarët.
“Çfarë mund të jep Kosova që të arrihet kjo marrëveshje, një pajtim, se tjetër nuk kemi çka japim. Pajtimi nuk është pak, do të thotë të kalohet mbi dhimbjen tonë, mbi të zhdukurit, mbi të vrarët, mbi dëmet, mbi dhunimet seksuales, me ekonomi të shkatërruar e të plaçkitur, e kur ne të pajtohemi, po japim shumë, më shumë se që dikush që do të jepte. Nuk po themi për të harruar, se nuk e bëjmë kurrë, por ne mund të pajtohemi ndonjëherë për njohje. A është ky viti për këtë? Nuk mund të ngutem të them për këtë, por ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë dhe po ju tregoj se Kosova kur qëndron pas Amerikës, e bënë për interesin e vet”, ka thënë Haradinaj për “RTK2”.
Ai nuk ka thënë nëse këtë vit do të ndodh pajtimi dhe njohja, por ka theksuar se ky është viti kur Kosova duhet anëtarësohet në Interpol.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka kërkuar nga shtetet mike të ndihmojnë Kosovën të anëtarësohet në Interpol.
Haradinaj ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB, ku sipas tij, shpejt duhet mbyllet kjo çështje.