Haradinaj: Papunësia në Kosovë është ulur në 26.9 për qind
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë, është ulur në 26.9 për qind në periudhën janar – mars të këtij viti, në krahasim me 31.6 për qind sa ka qenë në periudhën tetor – dhjetor të një viti më parë.
Haradinaj ka konsideruar se këto të dhëna përbëjnë lajm të mirë dhe janë dëshmi e zhvillimit të brendshëm ekonomik.
“Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë, është ulur në 26.9 për qind, për periudhën janar – mars 2019 në krahasim me periudhën tetor – dhjetor 2018 që ishte 31.6 për qind. Këto statistika tregojnë edhe një fakt, që ulja e papunësisë ka ndodhur në grupmoshat 15-54 vjeçare. Nga 57.3 për qind të të papunëve nga kjo grupmoshë, tremujori i parë i 2019-tës, tregon një ulje për 7 për qind, konkretisht 50.6 për qind”.
“Këto statistika, janë lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë dhe dëshmi e zhvillimit të brendshëm ekonomik, megjithëse për Qeverinë e vendit, mbetet shqetësim i vazhdueshëm shkalla e papunësisë në vend. Në këtë përpjekje, do të vazhdojmë angazhimin tonë, për të fuqizuar zhvillimin ekonomik të vendit, duke mbështetur prodhuesit tanë dhe duke tërhequr investime të huaja direkte, të cilat çojnë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e përgjithshme ekonomike”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/