Haradinaj paralajmëron largimin nga qeveria, shkak marrëveshja e Uashingtonit

04 shtator 2020 | 16:29

Ramush Haradinaj ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, beson fuqishëm në marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri kryesor i Kosovës në arritjen e lirisë dhe shtetformimin.

“Ne kemi punuar shumë që të arrihet një marrëveshje normalizimi mes shteteve, bashkëpunim ekonomik deri në njohjen reciproke”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se fatkeqësisht situatën në dialog e vështirësoi njëra nga pikat e draft-marrëveshjes që flet për Ujmanin.

“Ne nuk e vlerësojmë që Serbia duhet të jetë palë për të ardhmen e Ujmanit. Jemi të hapur për Departamentin e Energjisë së Amerikës, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku përfshihet edhe Serbia. Implikimet që mund të sjellë në të ardhmen, mund të jenë të pa përballueshme për Kosovën”.

“Përkundër faktit që kam biseduar me kryeministrin Hoti për ta hequr këtë pikë, nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ai dhe jemi të detyruar të mos e përkrahim këtë marrëveshje. AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka deklaruar…