Haradinaj paralajmëron pajtim me Serbinë për të ecur përpara
Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj, nga Theranda ka dërguar mesazhin se Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen dhe ta njohin njëra tjetrën në mënyrë që Kosova të ecë përpara dhe të mos stagnoj drejt integrimit evropian.
Ai në Kuvendin zgjedhor të AAK-së në Therandë, ka thënë para delegatëve të kësaj partie se Kosovës i duhet gjithsesi që të shkojë në OKB. E, kjo sipas tij, është duke u njohur mes vete me shtetin fqinjë, Serbinë.
“Por për ta mbyllur rrugën tonë ne nuk duhet ë frikësohemi të ecim përpara drejt anëtarësimit në OKB. Nëse na frikësohemi ta kërkojmë këtë të drejt se po e tradhtojmë vetën rrugës, atëherë nuk kemi pasur nevojë të vijmë fare deri këtu, kemi mundur të ndalemi me kohë. Ne duhet të shkojmë gjithsesi deri në OKB, Kosova duhet të arrij deri në anëtarësim në OKB se atëherë kryhet rruga e nisur. Nuk është lehtë për Kosovën me u njoftë me Serbinë, mu njoftë ne ndër-vete nuk është lehtë sepse ne e dimë, i kemi këtu Berishët, e sa berishë tjerë masakra në Kosovë, që Krushën e ke afër. Neve na duhet kur të njihemi me Serbinë t’ia japim dorën duke iditur këto masakra, do ta bëjmë këtë sepse ne duam të ecim përpara”, ka thënë Haradinaj.
Edhe para qytetarëve të Therandës, kreu i Qeverisë ka thënë se liberalizimit të vizave i ka ardhur koha që të bëhet sepse tanimë kanë lidhur një kontratë me BE-në, siç është MSA-ja, që do të thotë se rruga e Kosovës drejt BE-së është nisur.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se gjitha këto do të bëhen, por jo duke lënë anash ekonominë dhe zhvillimin ekonomik, sepse janë duke bërë shumë edhe në këtë drejtim.
Kryetari i Therandës, Bali Muharremaj, u shpeh se AAK e riktheu qeverisjen në Therandë dhe deri këtu kanë ardhur falë punës së madhe.
Ai ka thënë se ka marrë obligime nga qytetarët për të qeverisur me Therandën.
Muharremaj theksoi se për këtë kohë të shkurtër arritën t’i kryejnë shumë punë. Kreu i komunës tha se premtimet që kanë dhënë po i realizojnë në gjashtë mujorin e parë të qeverisjes.
“Premtimet që i dhamë për katër vite po realizohen qysh në gjashtë mujorin e parë. Infrastruktura po ndryshon drejt përmirësimit si në qytet edhe nëpër fshatra. Arsimi është në proces të krijimit të metodave bashkëkohore për arsim cilësor, jemi duke punuar bashkë edhe me opozitën edhe me shoqërinë civile, për të pasur sukses qdo herë duhet të bashkëpunojmë kur është interesi i qytetarëve”, theksoi Muharremaj.
AAK-ja ka mbajtur kuvendin e tetë zgjedhor edhe në Klinë, e Rahovec. Nga Klina, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dërgoj mesazhin se qytetarët e vendit shumë shpejt do të lëvizin pa viza, raporton KP.
“Para se të mbërrijmë statusin e kandidatit ne kemi një kërkesë shumë modeste, shumë të vogël për BE-në por shumë e madhe për ne, liberalizimin vizave, pra që të jemi qytetarë të lirë edhe ne. Po punojmë në këtë drejtim, pra është një agjendë e Kosovës që duhet Qeveria non-stop me punuar në të, e nuk guxon me ba shumë zhurmë, e duhet me pas kujdes qysh me dëshmuar, qysh me prezantu, qysh me shërbye te qeveritë nacionale, që çdo qeveri e 28 vendeve të BE-së me na pranu se kemi ba progres, e me na pranu që bën me na u dhanë liberalizimi i vizave, e mos me u frikësu ata që kur liberalizohemi nuk shkojnë më shumë kriminel, nuk i mbushim burgjet atje, e nuk shkojnë as refugjatë, por me ba shkëmbime”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo do të ndodh, por ka kërkuar ndihmën e të gjithëve. Derisa, ka ritheksuar se ka ardhur koha për ushtrinë e Kosovës.
“Ne jemi me mbajt KFOR-in këtu, përjetë le të rrinë këtu, trupat mike që na kanë ndihmu në kohë rreziku, por gjithashtu është koha edhe Kosova e pas ushtrinë e vet, por edhe ne me ja nis m dhanë ndihmë NATO-s e KFOR-it. Jo vetëm në Kosovë e në rajon por edhe në botë. Është vitit kurdo të vendoset edhe për këtë punë, jo pse unë po e bëj punën aq mirë dhe është rezultat vetëm i punës time, por i ka ardh koha. Ky është viti i vendosjes për Ushtrinë”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj duke bërë hapjen punimeve të Kuvendit të 8-të të AAK-së në këtë komunë, tha se kjo parti ka arritur të konsolidohet tutje, kështu duke fituar besimin e qytetarëve për të qeverisur këtë qytet.
“Tani iu kemi veshur punës dhe do të kryejmë obligimet tona që dalin para qytetarëve të komunës së Klinës për një Klinë më të zhvilluar, për një Klinë me një jetë më të hartuar për të gjithë qytetarët e Klinës”, u shpreh ai.
Edhe para delegatëve në kuvendin zgjedhor të AAK-së në Rahovec, kreu i AAK-së dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj përmendi temat e mëdha që Kosova i ka përpara. Kreu i ekzekutivit ritheksoi liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit dhe bërjen e ushtrisë gjatë këtij viti.
Ai ka qenë kritik ndaj vendeve ndërkombëtare, kur thonë se Serbia e ka të vështirë për ta njohur Kosovën dhe ka pohuar se Kosova duhet me përbi dhimbjen e Kurshës, kur njihet me Serbinë.
“Kosova duhet me përbi dhimbjen e Krushës edhe të krushave tjera, kur njihet me Serbinë. Ma zor është për Kosovën mu njoh me Serbinë, se sa qysh po mundohen me na tregu nëpër botë, Serbia e ka zor me njoh Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i AAK-së në Rahovec njëherit edhe kryetar i këtij qyteti, Smajl Latifi theksoi se shumë herë u sulmua AAK-ja pa të drejtë, por ata vazhduan punën dhe për këtë u shpërblyen nga qytetarët duke i besuar ta udhëheq Rahovecin.
“Aleanca kaloi në faza të ndryshme, aspak të lehta, e kritikuar shumë, ndonjëherë pa të drejt dhe ndonjëherë e satanizuar këtu në Kosovë. Mirëpo kur ke qëllime dhe vizon të qartë dhe këmbëngul për t’i përmbushur ato, do të thotë se je subjekt politik me energji pozitive dhe fitoren e ke të pashmangshme një ditë. Posaçërisht, kur punën që e bënë si subjekt politik, ua dedikon qytetarëve të tu, atëherë perspektiva e subjektit është e qartë dhe e ndritshme”, ka thënë Latifi.
AAK kuvendet zgjedhore do t’i vazhdojë edhe ditëve në vijim, deri në përmbylljen e këtij procesi të brendshëm, të kërkuar sipas statutit të partisë.