Haradinaj paralajmëron takime me qytetarë për dialogun dhe gjendjen ekonomike
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar takime me qytetarë për dialogun me Serbinë dhe gjendjen ekonomike në vend.
Ai ka bërë me dije se këto takime do t’i nis në javën e parë të shtatorit.
“Të nderuar anëtarë e simpatizantë të Aleancës, të nderuar qytetarë të Kosovës, procesi i dialogut, situata e krijuar politike dhe ekonomike në vend, na shtynë të jemi më të angazhuar e më të fokusuar si asnjëherë me parë. Që nga java e parë e shtatorit të këtij viti, do të filloj një proces bashkëbisedimi me qytetarët e Kosovës në vendbanime të ndryshme të vendit. Do të flasim hapur për dialogun për njohje reciproke Kosovë-Serbi; për situatën e rëndë ekonomike – sociale me theks të veçantë për krizën e rëndë energjetike. Po ashtu edhe për tema të tjera që sot e preokupojnë vendin dhe qytetarin. Këto ditë do t’ju njoftoj për orarin dhe vendin e takimeve”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.