Haradinaj: Parku i Erës në Bajgorë, investimi më i madh i pasluftës në Kosovë
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se nënshkrimi i marrëveshjeve për projektet e gjenerimit të energjisë elektrike nga era në fshatin Selac të Bajgorës, është projekti më i madh që ka ndodhur në Kosovë për energji të ripërtërishme.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky projekt është rezultat i punës dinamike dy vjeçare, për të cilin Qeveria e vendit ka punuar pandërprerë për të ofruar gjithë përkrahjen dhe asistencën teknike.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Projekti më i madh ekonomik për vendin, Parku i Erës në Bajgorë i ndërmarrjes SOWI Kosova tashmë është një realitet.
Kosova do ta jetësoj projektin më të madh të energjisë së ripërtritshme në vend, një investim prej 170 milionë euro, mbështetur financiarisht nga BERZH, Erste Group Bank dhe agjencia gjermane Euler Hermes.
Ky investim, që shënon edhe partneritetin e Kosovës me Gjermaninë, SHBA-të, Izraelin, Slloveninë dhe Austrinë, jetëson investitorin e parë strategjik dhe është rezultat i punës dinamike dy vjeçare, për të cilin Qeveria e vendit ka punuar pandërprerë për të ofruar gjithë përkrahjen dhe asistencën teknike.
SOWI Kosova, do të vendosë 27 turbina të prodhuesit General Electric në rajonin e Bajgorës, me kapacitet të instaluar prej 105 megavatësh, për të prodhuar energji elektrike pa dëme në mjedis. Kjo energji elektrike është më se e nevojshme në vendin tonë, dhe përveç tjerash, me këto kapacitete ne përmbushim caqet për energji të ripërtritshme. Projekti do të përfundojë së ndërtuari në vitin 2021 dhe në gjithë rrugëtimin e tij, do të ofrojë qindra vende të reja të punës.
Parku i Erës në Bajgorë është investimi më i madh i pasluftës në Kosovë dhe dëshmi për investime të tjera që vendi ynë mund t’i bëjë.
Sot, po fillon një epokë e re në Kosovë, e investimeve të mëdha dhe etapë në të cilën përgjegjësia ndaj mjedisit dhe komunitetit është parësore.
Urime Kosovë!