Haradinaj: Partneriteti me Gjermaninë është jetik për vendin
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim, zëvendësdrejtorin e “Konrad Adenauer Stiftung” (KAS) për Evropë dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Frank Priess, me të cilin ka diskutuar për nevojën e përfshirjes edhe më të madhe të Fondacionit KAS në Kosovë dhe fuqizimin e partneritetit me shtetin gjerman.
Kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar Priess për angazhimin që ka bërë ndër vite Fondacioni KAS, ka thënë se misioni i tyre ka qenë shumë i rëndësishëm.
“Përvoja dhe ndihma e këtij fondacioni ka qenë shumë e rëndësishme për forcimin e demokracisë, shoqërisë civile dhe të partive politike. KAS përmes angazhimeve të veta ka arritur të krijojë një vetëdije tek qytetarët kosovarë për BE-në dhe procesin e integrimit”, ka vlerësuar Haradinaj.
Ai ka theksuar edhe rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik dhe politik me Gjermanin dhe rolin e pashmangshëm të shtetit gjerman në konsolidimin e brendshëm të Kosovës dhe në anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare.
“Gjermania ka bërë shumë për Kosovën në këto vite dhe vazhdimi i këtij bashkëpunimi është tejet i rëndësishëm. Kosova ka nevojë për një partneritet afatgjatë dhe strategjik me shtetin gjerman”, është shprehur Haradinaj, duke përmendur edhe rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Fondacionit KAS, Frank Priess, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për mikpritjen dhe përkrahjen, duke thënë se ky fondacion politik në Kosovë do të angazhohet që edhe më tutje ta kryejë me sukses misionin e tij.
/Epoka e re/