Haradinaj: Pas largimit tim udhëheqjen e AAK-së e merr Ardian Gjini
Kryetari në detyrë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë që pas largimit të tij nga kjo parti udhëheqjen do ta marrë Ardian Gjini.
Haradinaj këto komente i ka bërë në emisionin Rubikon duke përsëritur qëllimin e tij për t’u bërë President i Kosovës.
“Me status në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës Me në mungesë të kryetarit Aleancën e udhëheq nënkryetari i parë me ç’rast e udhëheqë Ardian Gjini”,
“Në rast se mbajnë zgjedhje e vlerësojnë ata kë me e vendosë ose kush e merr besimin. Por me statut pas largimit tim në këtë rast e merr Ardian Gjini. Me statut në Aleancë udhëheqjen e merr Ardian Gjini”.
Ishin përfolur disa zëra që do të mund ta zinin vendin e Haradinajt në partinë të cilën e ka udhëhequr që prej themelimit të saj, por tani në rast të largimit të tij të mundshëm nga kjo parti, dihet emri që do ta pasojë atë.
Ai kishte thënë që posti i presidentit do të jetë vendimtar për funksionimin e qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.