Haradinaj pas mosftesës së Kosovës në Samit: Kurti ka degraduar raportet me ShBA-në
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit që Kosova nuk u ftua në Samitin e Uashingtonit, duke fajësuar kryeministrit Kurti për degradim të raporteve me ShBA-në.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Haradinaj ka thënë se aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush.
Reagimi i plotë i Haradinajt:
Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit.
Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush.
Ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur.
Ftoj kryeministrin Kurti sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon.
Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik.
Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë.