Haradinaj pas takimit me deputetët gjermanë: Thellësisht mirënjohës Gjermanisë për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim deputetët e Bundestagut Gjerman të CDU-së, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën europiane të Kosovës.
“Me Gjermaninë, si shtet mik i Kosovës, jemi të fokusuar që marrëdhëniet e shkëlqyera t’i avancojmë në dimension të ri të bashkëpunimit, veçmas në aspektin ekonomik. Nder i veçantë të bashkëbisedoj me deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bauer (CDU) dhe Christian Schmidt (CSU), për zhvillimet e fundit politike në vend, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën europiane të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook” pas takimit.
Ai ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
“Si qytetarë të lirë, synojmë anëtarësimin në familjen e madhe europiane. Thellësisht mirënjohës për qëndrimin e zëshëm gjerman për ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
/Epoka e re/