Haradinaj pas takimit me Halen: Kosova është e gatshme për dialog
Në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë zhvilluar një takim me nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale.
Kryeministri Ramush Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka treguar se në këtë takim ka paraqitur qëndrimin e tij se tash Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë ta vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet.
“Ky unitet është edhe me domethënës pas votimit të Platformës se Dialogut dhe Ligjit. E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, ka thënë Haradinaj.
/Epoka e re/