Haradinaj pas takimit me Merkelin parashikon dy mundësi për vazhdimin e dialogut me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se janë dy mundësi për përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ai ka thënë se kjo marrëveshje ose mund të arrihet shpejt me mbështetjen e fuqive perëndimore ose do të këtë një proces të dialogut disa muaj. “Janë dy mundësi, e para është mundësia e një vendimi të madh dhe ne duhet që ende të shpresojmë në këtë mundësi, sidomos pas involvimit të presidentit Donald Trump dhe tash të përfshirjes direkte të kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron për arritjen e një marrëveshjeje të madhe. E nëse kjo nuk arrihet, atëherë mundësia tjetër është të ketë një proces disamujor apo disavjeçar”, ka thënë Haradinaj.
Megjithatë, Haradinaj ka treguar se nuk shpreson shumë se do të ketë një marrëveshje të shpejtë, duke parashikuar mundësinë që fillimisht të ketë një marrëveshje kornizë e cila përmes një përfaqësuesi special ndërkombëtar do të diskutohet deri në finalizimin e saj.
Ai ka deklaruar edhe një herë se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet, derisa ka shtuar se në samitin e Parisit do të shkohet për të kërkuar njohjen nga Serbia.
Sa i përket liberalizimit të vizave, ai ka thënë se duhet lobuar që kjo çështje të hyjë në agjendë. “Duhet të punojmë në lobim, që çështja e vizave të futet në agjendë. Kancelarja ishte e interesuar për vazhdimin e dialogut, dhe kornizimin e dialogut. Në kontekst të kësaj, është diskutuar edhe pezullimi i taksës, por nuk ka një epilog me këtë çështje”, ka thënë Haradinaj.
/Epoka e re/