Haradinaj: Pas vendimit për rritjen e pagave në arsim është joetike të ankohen mësimdhënësit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se pas vendimit për rritjen e pagave në arsim është e padrejtë dhe joetike të mohohet e drejta e fëmijëve për shkollim.
Po ashtu, Haradinaj ka thënë së është joetike që pas këtij vendimi të ankohet ndonjë punëtor arsimi për pagë të ultë.
“Vendimi i Qeverisë për ngritje të pagave për punëtorët e arsimit erdhi pas një procesi serioz të shqyrtimit buxhetor nga Qeveria e vendit dhe u finalizua me pajtimin e plotë të të gjitha partive politike në komisionin parlamentar për administratë publike, qeverisje lokale dhe media. Është vendim, që sfidon seriozisht kapacitet buxhetore, por duke marrë parasysh rëndësinë që ka arsimi për të gjithë, mori përkrahje të gjerë”.
“Është e padrejtë dhe jo etike që pas këtij vendimi të mohohet e drejta e fëmijëve tanë për shkollim e aq më pak të ankohet ndonjë punëtor arsimi për pagë të ultë. Nuk është kohë pazaresh, por është koha që të fokusohemi në ngritje të cilësisë në arsim. Rritja e pagës është dinjitoze dhe pritjet racionale janë që edhe reflektimi të jetë dinjitoz. Mos i dënoni fëmijët tanë. Të nderuar punëtorë të arsimit – keni pagë të respektuar!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/