Haradinaj pasi Gjermania mori drejtimin e KE-së: Të rifillojë dialogu Kosovë – Serbi
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mirëpritur votimin e Ursula von der Leyen, Ministre aktuale e Mbrojtjes së Gjermanisë, për pozitën e Presidentes së Komisionit Evropian.
Haradinaj ka shprehur optimizëm se KE nën udhëheqjen e saj, do të kthejë Kosovën në dinamikat e plota integruese evropiane.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Mirëpres votimin e znj. Ursula von der Leyen, Ministres aktuale të Mbrojtjes së Gjermanisë, për pozitën e Presidentes së Komisionit Evropian.
Kam besim të plotë që Komisioni Evropian nën udhëheqjen e saj, do të kthejë Kosovën në dinamikat e plota integruese evropiane.
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë pa kushte deri në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe besoj se Komisioni Evropian do të intensifikojë përpjekjet si pjesë të politikës së zgjerimit. Jemi të bindur që zonja Ursula von der Leyen do t’i qëndrojë besnike qëndrimit, për një Evropë unike dhe të fuqishme.
Republika e Kosovës, me gjithë specifikat dhe sfidat e saj, është e përkushtuar që të jetë kontribuese modeste dhe vlerë e shtuar përgjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian.