Haradinaj: Pentagoni përkrah ushtrinë dhe popullin e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur me nderime të larta ushtarake nga sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-ve, James Mattis, në selinë e Pentagonit në Washington.
Kryeministri Haradinaj e ka informuar sekretarin Mattis për të gjitha zhvillimet nëpër të cilat po kalon vendi.
Në takimin me krerët më të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, kryeministri Haradinaj ritheksoi se Ushtria e Kosovës do të jetë garanci e paqes në vend dhe rajon, multietnike dhe e gatshme për të shërbyer krah ushtrisë amerikane në misione paqësore në botë.
Haradinaj e ka njoftuar sekretarin Mattis për të gjitha të arriturat e vendit, në veçanti për procesin e nisur të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.
“Të rinjtë tanë, nga FSK-ja kanë pasur fatin që të mësojnë nga profesionistët më të mirë të ushtrisë amerikane, përmes programeve që na janë ofruar përgjatë viteve. Kjo eksperiencë e fituar është baza më e mirë që e kemi për transformimin e FSK-së dhe Kosova është e gatshme për këtë etapë”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e vendit është e fokusuar që të vazhdojë partneritetin me Pentagonin dhe Washingtonin zyrtar dhe ka kërkuar nga sekretari Mattis përkrahjen e tij, në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat e sigurisë dhe në NATO.
“Aleatët më të mirë të Kosovës në kohë krize dhe në kohë paqeje kanë qenë dhe janë ShBA-të. Ajo që kanë bërë ushtarët amerikanë duke shërbyer në Kosovë, është vepër për të cilën ne ndjehemi krenarë, për të cilën ju duhet të ndjeheni krenarë”, ka shtuar K Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj e ka informuar sekretarin e Mbrojtjes Mattis se Kosova është e gatshme të përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë dhe të përfundojë konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit.
Nga ana tjetër, sekretari Mattis ka shprehur konsideratat më të larta për popullin e Kosovës, të kaluarën e saj dhe aspiratat për të jetuar të lirë si pjesë e familjes euroatlantike.
Sekretari Mattis ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë Amerikane për të ndihmuar Kosovën në procesin e dialogut, por edhe në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
Në këtë kontekst sekretari Mattis ka konfirmuar edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për FSK-në dhe procesin e ndërlidhur me transformimin e kësaj force konform planit strategjik të paraparë.
Në këtë plan sekretari Mattis ka konfirmuar se ShBA do të punojë ngushtë në implementimin e secilës etapë të këtij plani.
Pritja zyrtare me nderime ushtarake në Pentagon nga sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, është një nga takimet e posaçme në kuadër vizitës zyrtare që kryeministri Haradinaj është duke e zhvilluar në ShBA.
/Epoka e re/