Haradinaj për ‘AFP’-në: Nëse Serbia thotë se nuk do ta njohim kurrë Kosovën, as ne kurrë s‘do ta heqim taksën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë për agjencinë e lajmeve “AFP” se një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë është e mundshme gjatë këtij viti, por ajo nuk mund të përfshijë ndryshime të kufirit.
Ai ka paralajmëruar se shkëmbimi i territoreve mund të nxisë tensione në Ballkanin e dërrmuar nga lufta.
Ideja që Kosova dhe Serbia t’i japin fund mosmarrëveshjes së gjatë përmes shkëmbimit të territoreve ka shkaktuar shumë reagime vitin e kaluar pasi dy presidentët kanë dhënë shenja se një gjë e tillë mund të vendoset mbi tavolinë.
Megjithatë, kjo ide është kundërshtuar ashpër nga grupet për të drejtat e njeriut dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Në intervistën e tij për agjencinë “AFP”, Haradinaj ka thënë se beson që marrëveshja është e mundshme edhe gjatë këtij viti, por se ai nuk do ta pranonte përfshirjen e ndryshimit të kufijve.
“Hapja e diskutimeve për territorin dhe kufijtë është hapje e së kaluarës, ndërsa e kaluara ishte tragjike”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se kufijtë kanë qenë shkaku i luftërave të së kaluarës, duke iu referuar konfliktit të vitit 1999, i cili e ka ndarë me sukses Kosovën nga Serbia. Ai ka thënë se ndryshimi i sërishëm i kufirit do të ishte i rrezikshëm dhe nuk do t’i sillte vendet më afër marrëveshjes, por do t’i largonte nga ajo.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se dëshiron që bisedimet të rifillojnë sërish, ndërsa vendosja e taksës për mallrat serbe ishte një përgjigje kundër arrogancës së zyrtarëve serbë, të cilët i akuzon për pengim të përpjekjeve të Prishtinës për t’u anëtarësuar në Interpol vitin e kaluar.
Ndonëse në fillim kishte thënë se taksa nuk do të hiqet pa e njohur Serbia shtetin e Kosovës, ai tashmë e ka zbutur qëndrimin, duke thënë se ajo do të largohet nëse bëhen përpjekje për rifillim të dialogut.
“Nëse bisedimet bëhen serioze, nëse ka besim dhe nëse gjithçka përgatitet për të arritur diçka, ne do t’ia japim një mundësi këtij procesi. Por, nëse Serbia thotë se nuk do ta njohim kurrë Kosovën përgjigja ime është se nuk kurrë nuk do ta heqim taksën” ka thënë ai për agjencinë “AFP”.
Ky nuk është lajm i mirë për 120 mijë serbët që jetojnë në Kosovë, të cilët kanë protestuar kundër taksës dhe që vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë Beogradit.
Si kundërpërgjigje ndaj rezistencës së tyre, Haradinaj ka thënë: “Nuk i detyrojmë, kemi kohë. Ata janë serbë dhe jetojnë si serbë. Vlerat e tyre janë të respektuara”.