
Haradinaj për dialogun: Kosova s’guxon të ulet në tavolinë ku diskutohet për territorin
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e mirëpret rifillimin e dialogut me Serbinë, por thotë se duhet t’iu bëhet e qartë të gjithëve se Kosova nuk guxon të merr pjesë në një tavolinë ku diskutohet për kufijtë dhe ndryshimin e territoreve.
Ish-kryeministri duke mos dashur të komentojë se kujt i takon t’i prijë negociatave me shtetin fqinjë, thotë për KosovaPress se Kushtetuta i përcakton qartë kompetencat e shefit të ekzekutivit dhe të parit të shtetit.
“Kosova nuk guxon të shkojë në tavolinë pa e shpjeguar qartë se nuk merr pjesë në një tavolinë ku bisedohet territori, kufijtë ose rendi kushtetues i yni. Mos të shkojmë të hapur që të diskutohet çdo temë, Kosova nuk e ka atë luks të diskutojë çdo temë”, thotë ai.
Lideri i AAK-së thotë se në dialogun me Serbinë është e rëndësishme të shkohet me parime, e jo i gjithë diskutimi të jetë në atë se kush e udhëheq këtë proces.
“Kushtetuta i ka paraparë përgjegjësitë e të gjitha institucioneve. Ato të presidentit, kryeministrit të të gjithëve. Nga ana e ime si Aleancë dëshirojmë ta përkrahim Kosovën që sa më fuqishëm përballë Serbisë të prezantojë argumentet e duhura. Në mënyrë që të arrihet një marrëveshje në kufijtë ekzistues. Secili i ka të shkruara kompetencat e veta. Më me rëndësi për neve është të mendohet në aspekte tjera në parime e dialogut”, thotë Haradinaj.
I pyetur se a është për një rifillim të dialogut të shpejtë që deri në muajin shtator të arrihet marrëveshja, Haradinaj thotë se vendi nuk ka kohë për të humbur.