Haradinaj për “El Pais”: Kosova nuk do ta njohë pavarësinë e Katalonisë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova dhe Katalonia nuk kanë asgjë të përbashkët dhe një analogji e tillë nuk ka kuptim.
Ai për të përditshmen madrilene “El Pais”, ka shtuar se Kosova është një rast krejt ndryshe.
“Nuk ka asnjë analogji të mundshme mes Kosovës dhe Katalonisë. Vendosja e kësaj ngjashmërie do të thotë shpërfillja e historisë ose interpretim i keq. Nuk mund të krahasohet dhuna nën regjimin e Millosheviqit me sundimin e ligjit spanjoll; duke e bërë atë është edhe ofenduese. Spanjë është një demokraci e avancuar. Rasti ynë rrjedh nga shpërbërja, përmes luftërave tragjike të ish-Jugosllavisë, në vitet e 90-ta. Ka një ndryshim të thellë: Kemi luftuar mbi të gjitha për të drejtat themelore të njeriut. Nuk është rasti i Katalonis”, ka thënë ai në një intervistë për këtë gazetë.
Sipas kësaj gazete, Haradinaj me vendosmëri ka përsëritur se Kosova nuk do ta njohë pavarësinë e Katalonisë.
Intervista e tij, vjen pasi kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy kishte deklaruar se do të vendos veto ndaj deklaratës evropiane ku përfshihej edhe Kosova, e cila pritet të nënshkruhet në Samitin BE- Ballkani që do mbahet më 17 maj në Sofje.
Këtë ai e ka vlerësuar si një gjë të panevojshme.