Haradinaj për incidentin në Prizren: Po të ishte burrë ndryshe do të veproja
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është penduar për veprimin që ka bërë dje në Prizren gjatë shënimit të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Haradinaj kishte tentuar ta largojë me forcë një grua e cila kishte dalë në foltore për të marrë fjalën.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka thënë se po të ishte burrë do të vepronte ndryshe.
“Sa të jem në detyrë askush nuk me hyn nëpër këmbë në ngjarje shtetërore. A ke burrë, a ke zonjë, a ke fëmijë”.
“Ne e kemi arrestuar Gjuriqin atje me tregu që jemi shtet. Ne e kemi ndalë Frashër Osekun para gruas e fëmijëve, e po e lejojmë një grua aty me na torturuar një popull, edhe me thënë i hijshëm, i pahijshëm. Pahijshëm kam me e bë”, ka thënë Haradinaj.
Ai e ka përjashtuar mundësinë se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka vënë në kurth, duke ia lëshuar zonjës mikrofonin.
“Janë do viruse këtu. Ne e dimë kush e shtinë. Jo nuk është e Kadrisë. Gjesti i Kadrisë ka qenë korrekt. Ai ka shpresuar që i thotë dy fjalë edhe largohet. Ajo nuk dike mu ndalë”, ka thënë Haradinaj.