Haradinaj për Kurtin: Ka financime të dyshimta, transaksione prej Serbisë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë për Ekonomia Online se kryeministri Albin Kurti, ka prishur marrëdhëniet me Shqipërinë, duke i ndalur pensionet për luftëtarët shqiptarë. Sipas Haradinajt, historia do ta njohë Albin Kurtin si “njeriun që e ka rekrutuar armiku”.
Kreu i AAK-së insiston se Kurti është i rekrutuar nga Serbia, teksa përmend, siç i quan ai, dëmet që i ka shkaktuar Kosovës.
Haradinaj ka kritika edhe për lënien e minatorëve pa paga tash e tre muaj, ndërsa kërkon që Kurti të ndëshkohet përmes votës.
“Kurti i ka prishur marrëdhëniet skajshmërisht me Shqipërinë, i ka ndalë pensionin luftëtarëve nga Shqipëria që ka kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, me arsyetimin që e merrni pensionin e Shqipërisë. Kurti nuk ka lenë asnjë element që do t’i forcojë shqiptarët pa i dëmtuar. Vetëm shikoni ka shkuar në Paris me të gjithë situatën e vet a me ato shpenzime ka mundur të paguajë pagat e minatorëve të Trepçës. Para katër vitesh e ka gjetur me status të zgjidhur kurse tani i ka lenë pa paga. Kurti na ka lenë pa status energjetik. Në Kosovë ka vetëm një detyrë për të gjithë ne që e duam vendin është ndryshimi, pra me votë me largu një kryeministër që është i rekrutuar i Serbisë”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka thënë se zyrtarët qeveritar kanë kërkuar nga Serbia që ta dinë numrin e saktë të ish-ushtarëve të UÇPMB-së.
“Ai ka qenë në mision te armiqtë, e kanë ndihmuar për tu ngritur në pozitë. Edhe financimet i ka të dyshimta, ka transaksione nga Serbia. Një zyrtar i Qeverisë Kurti ka bërë kërkesë zyrtare Serbisë për numrin e saktë të pjesëtarëve që UÇPMB-së. I ka pyet a na tregoni numrin e pjesëtarëve. Nuk ka mundësi ajo ditë me ndodh rastësisht ai është i rekrutuar nga Serbia”, ka thënë Haradinaj, teksa kritika ka edhe për mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore. Këtë, Haradinaj e quan torturim.
“Ai i ka torturuar prindërit me tekste shkollore, me tekste falas i ka detyruar me i ble, ka fëmijë që kanë mbetur gjithë vitin pa tekste. Si po i trajton mësimdhënësit, policën po i poshtëron në mënyrën më të keqe me orare të gjata. Ne dikur kemi pasur pagën minimale mesatare më te lartën se rajoni, sot Shqipëria po shkon me pagën minimale 900 euro, Kosova ende e ka 170 euro. Më tregojnë sindikalistët se përpara jemi kërkuar me statusin tonë jemi krenuar ndërsa tani kudo qe shkojmë jemi ulët dhe na shohin sikur viktima”, u shpreh Haradinaj.
Ndërsa vizitat në Ujman, Haradinaj i quan tendencë për t’i mashtruar qytetarët përmes një video. Vendimet e Kurtit për Haradinajn janë mision, teksa insiston ta quajë si i rekrutuar nga Serbia.
“E gjithë kjo mungesë e parasë e detyron njerëzit të lëshojnë vendin. Historia do ta njohë si njeriun që e ka rekrutuar armiku. Mashtrimin e ka armë, me mashtrim mundohet me mbërri. Shkon në Ujman më shumë policë se ata që lahen aty, shkon ne veri me pi kafe sheh më shumë policë sesa njerëz. Për një video mundohet me i mashtru qytetarët, po ta donte veriun do t’i donte minatorët, Trepça është fuqia jonë, ky nuk e përkrah por e bënë një fotografi në Ujman. Sjellja e tij nuk është padituri por është mision i tij sepse është i rekrutuari i Serbisë”, u shpreh Haradinaj.