Haradinaj për ministrat me aktakuza: Veprimet e mia nuk ndërlidhen me veprimet e të tjerëve
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka treguar se sot e ka liruar nga detyra ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, pas kërkesës së tij.
Ai ka bërë me dije se është në pritje edhe të një shkrese nga lideri i PDK-së, Kadri Veseli, për ta liruar nga detyra edhe zëvendësministrin e Mbrojtjes, Agim Çeku.
I pyetur nëse do ta ndjek edhe ai shembullin e liderit të PDK-së, Kadri Veseli, për t’i liruar edhe ministrat e AAK-së që kanë aktakuzë të konfirmuar, Haradinaj ka thënë se asnjë veprim i tij si kryetar partie dhe qeverie nuk ndërlidhet me ndonjë veprim tjetër. “Asnjë veprim i imi nuk ndërlidhet me ndonjë veprim tjetër. Deri tani tregova qysh është gjendja. Ka pasur katër shkarkime politike”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për medie.
Ai ka përmendur edhe emrat e ministrave tjerë që gjatë mandati të tij i ka liruar nga detyra.
Haradinaj nuk ka dashur ta komentojë veprimin e Veselit, duke thënë se partitë politike janë të ndryshme dhe secila i ka specifikat e veta.
/Epoka re/