Haradinaj: E dinim se Zaevi është kundër lëvizjes së kufijve
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka komentuar çështjen e incizimeve të fundit të kryeministrit të kryeministrit Zoran Zaev, i cili përmes telefonit ka biseduar me disa komedianë rusë me të cilët ka folur edhe për çështjen e Kosovës.
Haradinaj ka thënë se të gjithë e kanë shqetësim ndryshimin e territoreve ndaj dhe deklaratat e dëgjuara të Zoran Zaev nuk janë ndonjë risi.
“Të gjithë e kanë shqetësim lëvizjen e kufijve. Këto nuk janë ndonjë risi. Ne kemi qenë në dijeni se Zoran Zaev është kundër ndryshimit të kufijve, kundër ndërrimit të territoreve apo ndarjes së Kosovës”.
“Është me rëndësi që Kosova ka kryer plot tema të brendshme. Është ushtria, ‘Trepça’ që ia mundësojnë Kosovës konsolidimin e mëtejmë, por ajo që ka mbet është njohja reciproke. Është sakrificë për Kosovën kjo njohje pas tragjedisë që ka pësuar. Serbia ka nevojë për tregun e Kosovës. Janë dy tema që kanë mbetur me u zgjidh, njohja e Kosovës dhe tregu i lirë. Kemi kërkuar një marrëveshje kornizë, për negocim të njohjes reciproke në kufijtë ekzistues. Kosova nuk ka nevojë të hyjë në diçka të paqartë”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.