Haradinaj për rekrutimin në pozita të larta drejtuese: Ende kemi shumë sfida
“Ekspertiza britanike për përzgjedhjen e kuadrove nëpër pozita të larta drejtuese në shërbimin civil dhe borde të ndërmarrjeve publike, na ka shërbyer që ky proces të jetë kredibil dhe i paanshëm”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën për projektin e Ambasadës Britanike për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe institucione të pavarura.
Ai ka thënë se me ambasadën britanike kanë punuar së bashku për dy vite për fuqizimin e qeverisjes së mirë, duke konsoliduar transparencën dhe llogaridhënien në institucionet publike.
Në konferencën vjetore të Projektit të Ambasadës Britanike për procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese, Haradinaj ka theksuar se ka ende shumë sfida, por do të vazhdojnë me përkushtim në evitimin e tendencave të politizimit të rekrutimit, që të vendoset etika e pushtetit, profesionalizmi dhe meritokracia.