Haradinaj për Specialen: Kosova s’ka qasje ndaj kësaj Gjykate, institucionet i kanë braktisur ish-krerët e UÇK-së
Teksa ka folur për mbarvajtjen e procesit gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj tha se institucionet shtetërore aktualisht s’kanë asnjë qasje ndaj këtij procesi.
“Kosova i ka lënë total vetëm. S’ka asnjë interesim për fatin e tyre. S’ka qasje shtetërore’, tha Haradinaj duke shtuar se duke krijuar marrëdhënie konfliktuale me Specialen, Kosova sipas tij po shkon drejt një strategjie të gabuar dhe të rrezikshme për të akuzuarit.
Ish-kryeministri u shpreh se pavarësisht kundërshtimit të tij për themelimin e Gjykatës Speciale, ai ka ftuar Presidenten e Kryeministrin që të ri-analizojnë marrëdhëniet dhe veprimet e dikurshme të Kosovës karshi këtij procesi.
“Ne duhet ta krijojmë një marrëdhënie miqësore me Gjykatën. A na e kana që e kemi ba, ndoshta s’na e kana edhe mund të jetë kështu.
Por, duke i ikur faktit që ne e kemi krijuar këtë Gjykatë, dhe është e jona, tani Kosova të krijojë marrëdhënie konfliktuale publike, është strategji e gabuar dhe shumë e rrezikshme për të akuzuarit.
As unë s’kam pasë qejf me u kriju. Procesi im ndoshta ka pasur që të zgjaste 12 vjet, unë 8 vjet i kam procese. Prandaj, unë ju bëjë thirrje krejtve, rianalizone marrëdhënien me veprimin tonë të dikurshëm.
Unë s’kam pas qejf me ekzisitu. Më mirë do të ishte që Kosova t’i ofronte bashkëpunim Gjykatës dhe t’i ofronte ndihmë për ta zbardhur drejtësinë. Kosova i ka lënë total vetëm. S’ka asnjë interesim për fatin e tyre. S’ka qasje shtetërore”, ka deklaruar tutje Haradinaj në Kanal 10.