
Haradinaj: Për të arritur aspiratat shekullore, shqiptarët janë mbajtur fort për njëri-tjetrin
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradina,j ka thënë se shqiptarët ndër shekuj, deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë mbajtur fort për njëri-tjetrin dhe për flamurin, për të arritur aspiratat shekullore.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ai ka shkruar për kryengritjen e Malësisë së Madhe, të cilën e cilëson si aktin që i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Shqiptarët ndër shekuj, deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë mbajtur fort për njëri-tjetrin dhe për flamurin, për të arritur aspiratat shekullore. Flamuri kuq e zi është ngritur dhe lartësuar nga figurat më të spikatura të historisë sonë kombëtare. Më 6 prill 1911, Dedë Gjo Luli bashkë me luftëtarë të Malësisë së Madhe të mbledhur e përbetuar nga 7 bajraqet, e lartësuan flamurin kuq e zi mbi Deçiq. Kryengritja e Malësisë i parapriu aktit të madh të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali në Vlorë. Të ndarë me kufij, por me një trung dhe një gjak – kuq e zi. Lavdi e përjetshme të gjithë brezave të luftëtarëve shqiptarë! Rroftë populli shqiptar!”, ka shkruar Haradinaj.