Haradinaj përfundon intervistimin, mbrohet në heshtje
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përfunduar intervistimin në Gjykatën Speciale në Hagë.
Aj ka treguar se ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje.
“E kam kryer obligimin ligjor, si i dyshuar. Kam pranuar këshillën ligjore që mos të përgjigjem për çka jam pyetur. Këto janë procedura ligjore jo për të fsheh diçka nga publiku, por meqë ligji nuk ma lejon…”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se ende nuk e di rolin e tij se për çka është ftuar si person i dyshuar.
Haradinaj u paraqit sot për intervistim pranë Prokurorisë Speciale për Krime Lufte të Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit.
Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së dhe kjo është hera e dytë që ai jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit për t’u përballur me drejtësinë në Hagë.
Hera e parë ka ndodhur në vitin 2005, kur është akuzuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.