Haradinaj: Përkrahja e ShBA-së është shumë e rëndësishme për Kosovën
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim senatorin amerikan, Ron Johnson, i cili është duke qëndruar në Kosovë për vizitë zyrtare.
Në takim, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, është biseduar për zhvillimet politike aktuale në vend, për mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në procesin e shtetndërtimit dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të ligjit.
Kryeministri Haradinaj, ka falënderuar senatorin Johnson për vizitën në Kosovë, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
“Përkrahja e ShBA-së është shumë e rëndësishme për ne. Kosova dhe populli i saj do të jetë përherë falënderues për ndihmën që ShBA-të dhe populli amerikan kanë dhënë në të gjitha periudhat”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar për rrugën e saj euroatlantike duke thelluar reformat e brendshme, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në forcimin e institucioneve demokratike.
Haradinaj ka thënë se Kosova është sot një faktor paqeje dhe stabiliteti dhe shembull i fqinjësisë së mirë dhe e angazhuar në dialog me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Kryeministri Haradinaj tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të afatizohet në kohë dhe të përmbyllet me njohje reciproke.
Duke uruar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për kremtimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë, senatori amerikan Ron Johnson, ka thënë se ShBA-ja do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme në zhvillimin ekonomik, demokratik dhe të konsolidimit të shtetndërtimit të Kosovës.