Haradinaj përkujton komandant Lulzim Morinën
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Rrafshin e Dukagjinit, Ramush Haradinaj e ka përkujtuar komandantin Lulzim Morina, i njohur me emrin e luftës “Luli”
“Lulzim Morina – Luli, gjatë luftës çlirimtare u shqua për udhëheqjen, organizimin, por edhe heroizmin e rrallë. Ai e nderoi emrin e Agim Zenelit në udhëheqjen e Brigadës 135, në beteja heroike kundër armikut. Hallaqi i Vogël i Lipjanit ashtu si tërë kombi ynë ndihen krenarë për kontributin e tij. I përhershëm kujtimi për Komandant Lulin. Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Lulzim Morina pas përfundimit të luftës, ishte në krye të detyrës, duke kryer me përkushtim të veçantë detyrat për ngritjen dhe zhvillimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, në detyrën e Shefit të Sektorit të Logjistikës, në Zonën e Tretë të Mbrojtjes. Ai humbi jetën tragjikisht më 18 dhjetor 2000, në Osek-Hylë, në magjistralen Gjakovë-Deçan. Varrimi i tij u bë më 20 dhjetor, në praninë e mijëra qytetarëve në vendlindjen e tij, në Martiras të Lypjanit. Në vendin ku prehet trupi i tij, në Martiras, i është ngritur lapidari, në shenjë kujtimi e nderimi të përjetshëm.