Haradinaj përkujton komandantin Ilaz Kodra dhe bashkëluftëtarët e rënë 26 vjet më parë

30 prill 2025 | 11:57

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar të mërkurën komandantin e UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 29 bashkëluftëtarët e tij, të rënë më 30 prill 1999 në përballje me ushtrinë pushtuese serbe.

Në një postim të tij, Haradinaj ka kujtuar edhe betejën e Qafë Mullarit, ku kishte luftuar krah për krah me Ilaz Kodrën, në ditën kur ka rënë heroikisht Luan Haradinaj dhe ishte plagosur Rafet Rama.

“Sot përkujtojmë sakrificën heroike të komandantit Ilaz Kodra dhe 29 bashkëluftëtarëve të tij, në 26-vjetorin e përjetësisë. Me Ilazin ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama. Më 30 prill 1999, ata luftuan trimërisht kundër disa brigadave të ushtrisë pushtuese jugosllave, duke e kthyer rrjedhën e historisë në favor të lirisë së Kosovës,” ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ai ka theksuar gjithashtu se një ditë më parë kishte kujtuar dëshmorët Jakub Demaliaj dhe Bilall Mazrekaj, ndërsa sot ka marrë pjesë në homazhe për luftëtarin e UÇK-së, Naser Shala.

“Po ashtu, sot me kolegë e shumë bashkëluftëtarë të gjallë nga Zona e Dukagjinit iu bashkuam familjes së luftëtarit Naser Shala, për të ndarë dhimbjen me ta për ndarjen e tij nga jeta”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj ka shprehur mirënjohje për të gjithë dëshmorët dhe ka nderuar kujtimin për bashkëluftëtarin e ndjerë Shala.

“Lavdi dëshmorëve të kombit! I paharruar kujtimi për ty, vëlla e bashkëluftëtar Naser Shala!”, ka përfunduar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Suksesi në “El Clisico” i dhuroi Barçës trofeun e parë…