Haradinaj përkujton kryengritjen e Malësisë së Madhe
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar kryengritjen e Malësisë së Madhe, në 110-vjetorin e saj.
Ai ka thënë se kjo kryengritje kishte qartësuar qëllimet e shqiptarëve për liri e shtet shqiptar dhe ndarje përfundimtare nga Perandoria Osmane.
“Njëqind e dhjetë vite më parë, gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe, në majën e Bratilës, luftëtarët shqiptarë të Hotit, Grudës, Kastratit, Kelmendit, Shkrelit, Trieshit e Kojës, vendosën flamurin shqiptar kuq e zi. Kjo kryengritje, qartësoi qëllimet e shqiptarëve për liri e shtet shqiptar dhe ndarje përfundimtare nga Perandoria Osmane”.
“Edhe pse fuqitë e mëdha, njohën shtetin shqiptar, padrejtësisht shumica e territoreve që banoheshin nga shqiptarët mbetën jashtë. Kryengritja e Malësisë së Madhe, mbetet ngjarje e cila prek ndërgjegjen tonë kombëtare, që edhe më tutje shpreh frymën që shqiptarët si komb që nuk i bënë dëm askujt, meritojnë të jetojnë të lirë, me të drejta të barabarta me popujt e tjerë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë vet në “Facebook”.