Haradinaj përkujton Lidhjen e Pejës dhe heroin Isa Boletini
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Lidhja e Pejës e udhëhequr nga Haxhi Zeka në vitin 1899, ishte dëshmi se shqiptarët janë të aftë të ndërtojnë unitetin kombëtar.
Kështu ka thënë Haradinaj në përvjetorin e kësaj besëlidhje.
“23 janari shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë e Kosovës: Lidhjen e Pejës, e udhëhequr nga Haxhi Zeka, në vitin 1899. Kjo besëlidhje, tregoi se shqiptarët janë të aftë të ndërtojnë unitetin kombëtar për të mbrojtur tokat e tyre. Akti i Besëlidhjes së Pejës ilustron patriotizmin dhe aftësinë për të përballuar sfidat për hir të Atdheut”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka kujtuar edhe heroin kombëtar, Isa Boletini, në përvjetorin e rënies.
“Në këtë ditë, kujtojmë edhe heroin kombëtar Isa Boletini, një udhëheqës dhe mbrojtës i pavarësisë së vendit. Fjala e tij: ‘unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia’ shpreh besnikërinë dhe dashurinë ndaj atdheut. Isa Boletini, si komandant i çetave, jo vetëm që ka qenë një lider popullor, por gjithashtu një burim frymëzimi për ata që vlerësojnë lirinë dhe atdheun”, është shprehur Haradinaj.