Haradinaj përkujton Myrtë Zenelin dhe tetë dëshmorë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-së), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot heroin e Kosovës, Myrtë Zeneli, si dhe tetë dëshmorë të tjerë të cilët ranë më 1998 dhe 1999 në betejën në Grabanicë, Qeskovë, Dollovë, Kpuz dhe Bokshiq.
Haradinaj ka thënë se është obligim yni ta ruajmë lirinë, duke përkujtuar bijtë tanë, që me gjakun e tyre u bënë themele të saj.
“Lufta për liri na ndau nga shumë bashkëluftetarë të zot, që ishin me ne që nga fillesat e rezistencës sonë për liri. Në njëzetedy vjetorin e rënies, kujtojmë me nderim Heroin e Kosovës, Myrtë Zeneli, si dhe dëshmorët, Faruk Elezi, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina, që ranë gjatë betejës treditore në Grabanicë, Qeskovë, Dollovë, Kpuz e Bokshiq. Një vit më vonë, u përjetësuan Mehmet, Ajet dhe Hetem Rexhaj, tre vëllezër që falën jetën për Atdhe. Është obligim i yni ta ruajmë lirinë, duke përkujtuar bijtë tanë, që me gjakun e tyre u bënë themel i saj. Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Në korrik të vitit 1998, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, emrin e dëshmorit Myrtë Zeneli e merr Brigada 132 e Zonës Operative të Dukagjinit, zonë të cilën e komandoi Ramush Haradinaj.