Haradinaj përkujton vëllezërit Bytyqi, ka disa fjalë edhe për nënën e tyre
Në 21-vjetorin e rënies, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar tre dëshmorët e “Batalionit Atlantiku” Agron, Yll e Mehmet Bytyqi, duke iu drejtuar nënës së tyre, Bahrijes, me një mesazh emocionues.
Haradinaj ka thënë se dhembjen e madhe për rënien e tre vëllezërve Bytyqi e ndan së bashku me familjen e tyre.
“E dashur nënë Bahrije, Familje Bytyqi dhe bashkëluftetarë të ‘Batalionit Atlantiku’. Sot kur kujtojmë 21-vjetorin e rënies së Agronit, Yllit e Mehmetit, të jeni të sigurtë se dhembjen e madhe po e ndajmë së bashku”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kryetari i AAK-së, i është drejtuar Bahrije Bytyqit, duke thënë se djemtë e saj iu bashkuan luftës çlirimtare në momentet vendimtare të saj.
Haradinaj ka thënë se shpirti i tyre human dhe edukimi atdhedashës, do të kujtohen përgjithmonë.
“Djemtë tu, erdhën në Luftën Çlirimtare, në momentet më vendimtare të saj. Ata i dhanë dimension të ri luftës sonë për liri. Ne kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për bijtë tuaj. Shpirti i tyre human, edukimi atdhedashës që e morën nga ju, heroizmi i tyre, do të përkujtohen përgjithmonë. Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar Haradinaj.