Haradinaj përkujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka kujtuar me respekt të thellë të rënët e 17 janarit 1982, veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se me vrasjen e tre lajmëtarëve të lirisë u tentua të shuhej zëri i Kosovës dhe e vërteta e saj.
“Në 37-vjetorin, i kujtojmë me respektin më të thellë të rënët e 17 janarit 1982, veprimtarët e shquar të çështjes sonë kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Me vrasjen e tre lajmëtarëve të lirisë u tentua të shuhej zëri i Kosovës dhe e vërteta e saj. Vepra e vizioni i tyre ishin frymëzim dhe udhërrëfyes i të gjitha gjeneratave vijuese në angazhimet për lirinë e vendit, deri në mobilizimin e përgjithshëm të popullit tonë, në fundin e shekullit të njëzet. Nderim i përjetshëm heronjve të kombit, që i dhanë drejtim projektit të shumë brezave, deri në lirinë e plotë”, ka shkruar kryeministri.