Haradinaj përshëndet miratimin e buxhetit për vitin 2019
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 65 vota pro, kanë miratuar shqyrtimin e dytë të Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se me buxhetin më të madh në historinë e saj, Kosova hyn në etapë të re zhvillimore.
“E përshëndes miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për Buxhetin 2019 të Republikës së Kosovës. Me 2 miliardë e 370 milionë euro, ky është buxheti më i madh dhe më zhvillimor i deritanishëm i Kosovës, që do t’i paraprijë rritjes ekonomike prej 4.7 përqind.
Arsimi me rreth 300 milionë euro dhe shëndetësia me 234 milionë, janë sektorët që përfitojnë më së shumti. Institucionet e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes marrin mbështetje të shtuar financiare prej 6% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Më shumë siguri dhe më shumë mbrojtje, edhe për qytetarët por edhe për investimet”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se investimet kapitale rriten për 11%, apo 75 milionë në raport me vitin 2018, duke mundësuar realizimin e shumë projekteve ekzistuese dhe të reja, si nxitje e madhe për zhvillim ekonomik dhe për sektorin privat.
“Janë akomoduar mjetet për rritjen e pensioneve bazike 20%, për ato kontributdhënëse 15%, si dhe pensionet mujore prej 230 euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Urime Kosovë viti i kthesës ekonomike!”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.