Haradinaj përshëndet miratimin e Ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përshëndetur miratimin e Ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni.
Përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”, ai ka thënë se ky ligj është hap madhor i realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe njëkohësisht i respektimit të vlerës qytetare në një shtet me synime demokratike.
Postimi i plotë i tij:
Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonise është hap madhor i realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe njëkohësisht i respektimit të vlerës qytetare në një shtet me synime demokratike.
Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është përmbushje e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe i respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Vendimi i Kuvendit të Maqedonisë avancon marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë shtet, nxitë zhvillimin demokratik të tij dhe i hapë perspektiven e vendit drejt integrimeve euro-atlantike. Me këtë vendim fillon një epokë e re në marrëdhëniet e brendshme të Maqedonisë dhe njëkohësisht edhe në rrugëtimin e gjithë rajonit drejt BE-së.
Uroj të gjithë bashkëkombasit tanë në Maqedoni për kete akt kaq të madh legjitim që hapë perspektiven e tyre, si dhe shtetin maqedon për këtë hap të rëndësishëm për tërë rajonin.
RH