Haradinaj përuron impiantin e ujit të pijes në Komunën e Gjakovës

08 tetor 2018 | 15:30

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Gjakova është kthyer në lider në betejën për ujë.

Në përurimin e impiantit të ujit të pijes në Komunën e Gjakovës, ai ka thënë se për Kosovën investim i drejtpërdrejt dhe strategjik për rritjen e performancës në të gjitha segmentet e ekonomisë janë ujëmbledhësit.

“Kënaqësi e veçantë të marr pjesë në përurimin e Impiantit të ujit të pijes, në stacionin e filtrimit te Liqeni i Radoniqit, që zgjidh këtë problem ekzistencial për mijëra banorë të zonës. Për Kosovën, investim i drejtpërdrejt dhe strategjik për rritjen e performancës në të gjitha segmentet e ekonomisë janë ujëmbledhësit. Nga përmbyllja e infrastrukturës rrugore dhe fabrikat e ujit të pijes, së shpejti do të kalojmë në projektet për trajtimin e ujërave të zeza dhe shtretërve të lumenjve. Në këtë drejtim, përkrahja e shteteve mike ka qenë dhe mbetet e domosdoshme. Me mbështetjen e tyre dhe të Qeverisë, komunat tona po realizojnë projekte madhore, duke ngritur cilësinë e jetës së qytetarëve”, ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se ndihet krenar për punën që është realizuar e që është një arritje e të gjithëve.

Duke falënderuar qeverinë gjermane dhe atë zvicerane për kujdesin e madh dhe përkrahjen që kanë bërë për këtë investim në ujë të pijshëm, kryeministri Haradinaj ka thënë se është me rëndësi për vendin që të krijojë alternativa të tjera të ujëmbledhësve në vend, pasi që Kosova është burim i ujit.

Haradinaj ka theksuar se në Kosovë ka ujëmbledhës të shumtë, siç janë, Ujmani, Batllava, Badovci, por mund ta kemi edhe Lepencin dhe ujëmbledhës të tjerë më të vegjël.

“Këto janë investimet më strategjike që duhet t’i bëjmë  dhe të krijojmë rezerva të ujit dhe me qenë bankë e vetvetes që të mos varemi nga askush për ujin e pijes.  Por jo vetëm kaq, uji është i nevojshëm edhe për të gjitha segmentet e ekonomisë”, ka deklaruar Haradinaj, duke i inkurajuar të gjithë, që ta fitojnë betejën për ujin e pijes dhe duke kërkuar ndihmën e miqve gjermanë dhe zviceranë që përmes granteve apo huas, të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit për trajtimin e ujërave të zeza e po ashtu edhe trajtimin e shtretërve të lumenjve.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se “KRU Gjakova”, përveç që është një kompani profitabile, ajo ofron edhe shërbime të mira.

Ai ka falënderuar qeverinë për përkrahjen e parezervë duke thënë se nga këto investime po përfiton shumë Komuna e Gjakovës por edhe Kosova.

Ismet Ahmeti, kryeshef ekzekutiv i “KRU Gjakova”, ka theksuar se me ndërtimin e kësaj fabrike do të rritet kapaciteti nga 500 litra në 1000 litra në sekondë dhe kjo ëndërr po bëhet realitet falë Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komunës së Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit, si dhe konsumatorëve tanë.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajti edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, i cili ka thënë se sfida e ujit është sfida më e madhe që kanë shoqëritë tona.

“Ne jemi vende të pasura me ujë, por kemi vuajtur nga investimet dhe menaxhimi”, ka theksuar Gjiknuri, duke shtuar se sfidat ekzistojnë, por nga kjo që shihet sot, nga gjërat e bëra mirë, mësohet shumë dhe përfitojnë të gjithë.

/Epoka e re/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj mori pjesë në inaugurimin e…