Haradinaj, pezullon vendimin për rritje të pagave
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar se ka pezulluar përkohësisht zbatimin e vendimit për rritje të pagave.
Megjithëse, vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) për këtë çështje e ka vlerësuar si të paqëndrueshme, Haradinaj, në profilin e vet në “Facebook”, ka shkruar se pezullimi i këtij vendimi ka ardhur pas kërkesës së 30 deputetëve që t`i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Statusi i plotë i kryeministrit Haradinaj në “Facebook”:
Vendimin e AKK-së, lidhur me nivelizimin e pagave, e vlerësoj të paqëndrueshëm dhe të ndikuar politikisht. Për këtë vendim kemi dorëzuar përgjigje të qartë dhe kjo është e njohur për opinionin.
Megjithatë, pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi.
Shqetësimi im dhe i Qeverisë është se ky pezullim godet më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët, duke qenë se pagat e tyre janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me vendimin për nivelizimin e pagave.
Pa marrë parasysh epilogun e kësaj çështjeje, ne do të përpiqemi që të gjejmë mënyrën për të siguruar përkrahjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët në vend.