Haradinaj: Platforma për dialogun e gatshme për të kaluar në Kuvend
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se pas konsultimeve me ekipin negociator në dialogun me Serbinë, është rënë dakord që platforma e dialogut të kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Këto deklarata, Haradinaj i ka bërë pas takimit që zhvilloi me ekipin negociator, ku ka thënë se morën pjesë edhe krerët shtetërorë.
“Përfundimisht kemi një dakordim për platformën e Kosovës në dialog. Tani, procedurë tjetër është konfirmimi nga vetë delegacioni shtetëror që të mund të kalojë në Parlament. Mendoj se platforma është një dokument i qëndrueshëm i parimeve dhe qëndrimeve që ka Kosova në dialog. Buron nga Kushtetuta, i obligohet dhe mbron Kushtetutën e vendit, personalisht i jap përkrahje”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar se platforma është shumë e rëndësishme për të ardhmen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, andaj bëri thirrje që edhe opozita të ketë zërin e saj.
“Edhe nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje nuk marrin pjesë direkt në delegacion, mendoj se ata mund ta japin kontributin e vet, qoftë duke përkrahur platformën apo duke dhënë mendimet e tyre për platformën”, ka thënë Haradinaj.
Ekipi negociator i Kosovës bashkëkryesohet nga Fatmir Limaj, nga Nisma Socialdemokrate, dhe Shpend Ahmeti i Partisë Socialdemokrate.