Haradinaj: Po nis një etapë e re shpresëdhënëse për fuqizimin e sportit në Kosovë
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se me miratimin e Ligjit për Sponsorizim ka filluar një etapë e re për fuqizimin e sportit në vend.
Ai ka vlerësuar se miratimi i këtij ligji jep mundësi bizneseve që të investojnë jo vetëm në rritjen e kapitalit të tyre, por edhe në kultivimin e vlerave në sport, që ngrisin talentët e rinj në përmasa ndërkombëtare.
“E përgëzoj Kuvendin, që me votën e tij fuqizoi sportin dhe i jep krah sukseseve kulmore të sportistëve tanë, të cilët po ecin gjurmëve të Majlinda Kelmendit, duke e ngritur lartë imazhin e vendit. Votimi i Ligjit për tatim mbi të ardhurat në Korporata, i cili e kompleton dhe e mundëson implementimin e Ligjit për Sponsorizim, u jep mundësi bizneseve që të investojnë jo vetëm në rritjen e kapitalit të tyre, por edhe në kultivimin e vlerave në sport, që ngrisin talentët e rinj në përmasa ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/