Haradinaj: Po punojmë që ta rrisim numrin e grave në vendimmarrje
Në kuadër të aktiviteteve që shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Republikën e Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në konferencën “Forumi Multietnik i Lidershipit të Grave të Reja në Kosovë”, që është organizuar nga Ambasada e Francës në Prishtinë në bashkëpunim me OJQ-në Kosovo Advocacy Group.
Hapjen e konferencës e kanë bërë kryeministri Ramush Haradinaj dhe ambasadori francez, Didier Chabert.
Në fjalën e tij, kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar faktin që kjo konferencë ka qëllimin e emancipimit të grave, nga të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë.
“Qeveria ende mbetet punëdhënësi më i madh në nivel të vendit me përfaqësim prej 40 për qind të grave dhe vajzave në shërbimin civil, megjithatë ne ende duhet të punojmë që ta fuqizojmë gruan dhe pozitën e tyre në shoqërinë kosovare, në të gjitha fushat dhe nga të gjitha komunitetet që jetojnë në vend”, ka thënë kryeministri në fjalën e tij, duke theksuar faktin në fjalën e tij se “në Kosovë vlen të përmendet një nismë tejet inkurajuese që është Regjistrimin e pronës së paluajtshme në emër të të dy bashkëshortëve. Në vitin 2016 ishin vetëm 105 raste, ndërsa deri në fund të vitit 2018, 4100 çifte përfituan nga kjo masë afirmative”.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri ka përmendur faktin e emërimit të ministres, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq, dhe ka shtuar se në vazhdimësi po punojmë që numri i grave udhëheqëse të jetë sa më i lartë.
Ambasadori Chabert është shprehur se të gjithë duhet të angazhohemi për shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse ku femrat duhet të kenë përfaqësimin dhe të drejtat e barabarta dhe të respektueshme në shoqëritë tona.
/Epoka e re/