Haradinaj: Policia, një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ka thënë se shteti vazhdimisht duhet të bëjë të pamundurën që ta trajtojë me dinjitet policinë me paga të dinjitetshme dhe krijimin e kushteve në përputhje me kompleksitetin e detyrave që kryejnë.
Në një postim në llogarinë e vet në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se kujton dhe nderon policët që kanë rënë në krye të detyrës.
“Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit tonë. Ajo me profesionalizëm e devotshmëri po e kryen detyrën e shenjtë të ruajtjes së rendit dhe ligjit. Andaj, shteti vazhdimisht duhet të bëjë të pamundurën që ta trajtojë me dinjitet Policinë e Kosovës, me paga të dinjitetshme dhe krijimin e kushteve në përputhje me kompleksitetin e detyrave që kryejnë. I përgëzoj të gjithë pjesëtarët e policisë, për shërbimin ndaj Atdheut. Kujtojmë me nder e respekt ata që ranë në krye të detyrës”, ka shkruar Haradinaj.